Çfarë bëjmë

RASP ofron ekspertizë në disa fusha që lidhen me zhvillimin rural.

A. Veprimi kolektiv ka qenë dhe mbetet një nga fushat prioritare të organizatës. RASP e sheh veprimin kolektiv si një përqasje e domosdoshme për zhvillimin rural. Përvoja e organizatës përfshin ngritjen dhe fuqizimin e grupeve dhe shoqatave të fermerëve, njohjen e dinamikave, psikologjisë dhe problematikat e grupeve në zgjidhje problemesh dhe menaxhim resursesh njerëzore. RASP mbështet gjithashtu krijimin e Grupeve Vendore të Veprimit (GVV) në kuadër të Qasjes LEADER, hartimin e strategjive lokale të zhvillimit; identifikimin, hartimin dhe zbatimin e mini-projekteve të zhvillimit lokal; monitorimin dhe raportimin e tyre. RASP mbështet gjithashtu krijimin e rrjeteve dhe klasterave të aktorëve të zhvillimit rural. 

B. RASP ofron ekspertizë të veçantë për zhvillimin e produkteve lokale bujqësore dhe blegtorale dhe veçanërisht të produkteve lokale të lidhura me origjinën e tyre gjeografike (Treguesit gjeografik) në aspekte të zhvillimit në të gjitha hallkat e zinxhirit furnizues të produktit, si dhe duke mbështetur grupin e fermerëve dhe aktorëve lokale që lidhen me produktin. Po ashtu RASP mbështet me ekspertizë profesionale gjithë proçesin e çertifikimit të produkteve të origjinës me shenjën e treguesit gjeografik dhe promovimin e tyre si produkte që kontribuojnë në zhvillimin ekonomik lokal në zonat rurale.

C. Ekspertiza e RASP në fushën e treguesve gjeografike fokusohet në aspekte si:

  • Përgatitjen e manualeve dhe udhëzuesve për zhvillimin e produkteve të origjinës (tregues gjeografik);
  • Metodologji për identifikimin e produkteve të lidhura me origjinen gjeografike,
  • Përcaktimin e karakteristikave dhe cilësive specifike të produktit;
  • Percaktimin e zonës gjeografike të prodhimit të produktit;
  • Lidhjen ndërmjet produktit te origjinës dhe zonës gjeografike
  • Plotësim te dokumentacionit për aplikim dhe regjistrim të produktit;
  • Mbeshtetje të shoqatës së aktorëve lokale për menaxhimin e produktit të regjistruar si tregues gjeografik.

D. Mbështetje për zhvillimin e agroturizmit është një nga prioritetet e RASP. Pavarësisht që projektet në fushën e agriturizmit kanë filluar që në vitin 2013 (shiko Projektet), konsiderimi i agriturizmit si një prioritet në diversifikimin e bujqësisë dhe programi i 100 fshatrave i lançuar nga qeveria Shqiptare, evidentoi si domosdoshmëri një angazhim më thelbësor, profesional dhe vizionar të RASP në këtë fushë. Analiza e sektorit, evidentimi i problematikave, eksplorimi i resurseve gjenetike lokale dhe produkteve tradicionale si një element bazë i agroturizmit, evidentimi dhe promovimi i tematikave të veçanta, si dhe mbeshtetja për rritjen e kapaciteteve humane janë aspekte ku mbështetet kontributi i RASP në këtë sektor.

E. RASP mbështet dhe promovon përdorimin e teknologjive digjitale të informacionit dhe komunikimit në menaxhimin e fermave në bujqësi duke i konsideruar si zgjidhje “smart“. Ekspertiza e RASP në këtë fushë ka të bëjë me kryerjen e vlerësimeve, analizave dhe studimeve mbi  efektet e përdorimit të teknologjive digjitale në bujqësi.